Një anije e ngarkuar me municion dhe armë,
nisur nga Mali i Zi është kapur në portin e Al Mukallës, në bregdetin e
Jemenit. Anija drejtohej nga kapiteni Arif Bakillari, i cili udhëtonte
bashkë me oficerin e parë Mihal Cangonji dhe kryemekanikun Nezir Shahaj.
Ndërkohë, në bord ndodheshin edhe tre marinarë të tjerë, dy indianë dhe
një grek.
Anija EOS ndaloi në datën 16
dhjetor të vitit që kaloi në këtë port për furnizim, karburant dhe
ushqime dhe në 19 dhjetor të gjashtë marinarët u arrestuan nga policia
portuale në Al Mukalla.
Sipas agjencive të lajmeve jemenite,
të hënën marinarët kanë dalë para gjykatës në rajonin e Hadramaut në
Jemen. Agjencia e lajmeve jemenite ka paraqitur edhe fotot e gjyqit,
kapitenin Arif Bakillari kur po bën betimin, duke i dhënë dorën
gjykatësit Abdu Ali Aeadi.
Nga grupi i të arrestuarve
kapiteni është i vetmi që komunikon në anglisht. I kontaktuar në
telefon, Arif Bakillari ka treguar se anija EOS ishte nisur nga Greqia
dhe ai mori drejtimin e saj në Durrës, më pas në Malin e Zi u ngarkua
sasia e armatimit e kontraktuar.
Agjencitë e lajmeve thonë
se armët janë prodhim serb. Anija u nis më 17 korrik të vitit që kaloi
dhe në 16 dhjetor ndaloi në portin e Al Mukallës, në Jemen, për furnizim
me karburant, ndërsa në bord kishte 180 tonelata armatim dhe eksploziv
me destinacion portin e Um Kasrit në Irak.
Sipas jemenitëve,
anija humbi rrugën dhe u end nëpër det për 5 muaj e më pas mbërriti në
Jemen. Aty kapiteni deklaroi të dhëna kontradiktore për ngarkesën dhe
destinacionin dhe mohoi faktin se kishte armatim në kundërshtim me
ligjet vendase dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Sipas padisë
së ngritur, të akuzuarit kanë shkelur ligjet kombëtare dhe rregullat
ndërkombëtare, ku më e rëndësishmja është lundrimi në det me lëndë
plasëse dhe municione, pa iu përmbajtur koordinatave të përcaktuara
ndërkombëtarisht.
Të mërkuren marinarët do të dalin në një
tjetër seancë gjyqësore për verifikimin e ngarkesës. Ndërkohë, kapiteni
Arif Bakillari, i kontaktuar në telefon, ka treguar versionin e tij të
ngjarjes. Sipas tij, ngarkesa është e rregullt dhe në disa pjesë të
udhëtimit është shoqëruar nga anijet e NATO-s.
Ai mbahet i
ndaluar së bashku me 5 marinarët e tjerë. Sipas tij, diplomatët indianë,
irakenë dhe grekë janë vënë në lëvizje për fatin e marinarëve, ndërkohë
që burime diplomatike në Tiranë thonë se ambasada në Arabinë Saudite po
ndjek çështjen edhe nëpërmjet konsullit të nderit në Jemen. Kapiteni ka
thënë se gjithçka po ndodh sepse jemenitët duan të mbajnë ngarkesën e
destinuar për në Irak.
